MARTIRËT E BESIMEVE – DËSHMI ATDHEDASHURIE

UNË JAM SI TI
November 23, 2016
MESAZH NGUSHËLLIMI dhe SOLIDARITETI me EGJIPTIN
December 12, 2016

MARTIRËT E BESIMEVE – DËSHMI ATDHEDASHURIE

img-20161126-wa0007 img-20161126-wa0006img-20161126-wa0015SIMPOZIUM

“Martirët e Besimeve – Dëshmi Atdhedashurie”

E Shtunë 26 Nëntor 2016 – ora 11 00

Hotel Skampa International Elbasan

PROGRAMI

ORA 10 45                 Mikpritja

ORA 11 00                 Urimi i mirseardhjes – Kordinatori i QBNFE

Përshëndetje – Autoritetet Vendore, Shtetërore dhe diplomatët e pranishëm.

ORA 11 20                 Kumtesë për Martirët Myslimanë      – Komuniteti Mysliman

ORA 11 30                 Kumtesë për Martirët Katolikë         – Komuniteti Katolik

ORA 11 40                 Kumtesë për Martirët Ortodoksë      – Komuniteti Ortodoks

ORA 11 50                 Kumtesë për Martirët Bektashinj      – Komuniteti Bektashi

Falenderimi përmbyllës

ORA 12 00                 Koktejl – Bufe

 

Mirdita e mirë se erdhët!

Të dashur motra e vëllezër të pranishëm, besimtarë, klerikë e drejtues të komuniteteve fetare!

Të nderuar përfaqësues shtetërorë, trupit diplomatik dhe OJF – ve në Shqipëri.

I nderuar Prefekt i Elbasanit zoti Arben Kamami,

I nderuar Kryetar i Këshillit të Qarkut zoti Bukurosh Stafa

E nderuar deputete e Kuvendit të Shqipërisë zonja. Evis Kushi

I nderuar përfaqësues i Prezencës së OSBE në Shqipëri. zoti Adrian Nessel.

Të nderuarit Peshkopë Hirësi Andoni dhe Imzot Hil Kabashi!

Të nderuarit Baba Faik Selmani dhe Myfti Agim Duka!

E nderuar përfaqësuese e Komisioneres për Mbrojteje nga Diskriminimi.

 

Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të komitetit tonë ndërfetar t’ju përshëndes dhe falenderoj për praninë tuaj në këtë Simpozium kaq domethënës në prag të festave tona kombëtare të Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë.

Tema “Martirët e Besimeve – Dëshmi Atdhedashurie” u përzgjodh nga ne, në programin e aktiviteteve qysh në fillim të këtij viti, pikërisht për të evokuar kontributin e madh ndër shekuj të besimeve fetare në përgjithësi dhe martirëve nga gjiri i tyre në veçanti, gjatë gjithë historisë së lavdishme të kombit tonë. Nëpërmjet vlerësimit të tyre ne kujtojmë e nderojmë të gjithë të rënët për atdheun përgjatë historisë sonë, si ata që shërbyen apo dhe u flijuan me moton “me Fe për Atdhe”, ashtu edhe ata që kanë rënë dëshmorë në luftërat kundër të gjithë pushtuesve.

Me këtë rast urojmë mbarë kombin “Gëzuar 28 e 29 Nëntorin”.

Nder e lavdi për të gjithë ata që flijuan jetën për Shqipërinë.

Para se të fillojmë me kumtesat e përgatitura nga të katër komunitetet tona fetare dëshiroj të ftoj të na përshëndesin autoritetet e pranishme dhe së pari ftoj të na përshëndesë në emër të qeverisë dhe pushetit vendor prefekti i Elbasanit zoti, Arben Kamami,

 

Përshëndetje e faleminderit për ftesën

Pas 25 vitesh demokraci jemi mbledhur per te paren here për te kujtuar vleresuar e nderuar martiret e besimeve te cilet duruan torturat më mizore deri në vdekje, pikerisht ne emer te fese e besimit te tyre por ata me dinjitet e vetmohim mbrojtën e dëshmuan besimin e tyre duke e ditur se sakrifica e tyre nuk do të shkonte dëm. Set përulemi me respekt duke treguar që shoqëria shqiptare nuk i harron kurrë. I përjetshëm kujtimi i tyre.

faleminderit zoti Kamami

Tani ftoj të na përshëndesë zonja Evis Kushi, depuetete e Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Ishin shumë ndër ata klerikë martirë që kanë sakrifikuar në emër të besimit dhe atdhedashurisë së tyre. Një rast ishte shumë interesant se edhe pas torturave të tmerrshme deklaroi; “jam shqiptar, jam katolik dhe këtë fakt nuk e mohoj kurrë”

 

faleminderit zonja Evis Kushi

Tani ftoj të na përshëndesë kryetari i këshillit të qarkut zoti Bukurosh stafa

 

Duhet të jemi kontribues kryesorë në mbrojtje me fanatizëm të vlerave të lirisë për të cilat këta martirë edhe u flijuan. Ata na mësuan si ta duam atdheun edhe fenë. Këtë binom të shenjtë se duke dashur atdheun dhe fenë ne mund të ecim më shpejt përpara duke mësuar nga sakrificat e të parëve tanë.

 

faleminderit zoti Stafa

Tani ftoj të na përshëndesë përfaqësuesin e prezencës së OSBE në Shqipëri zotin Adrian Nessel

Populli shqiptar e meriton një vlerësim të tillë ndaj edhe ky simposium është një vlerësim për rrugën e përfaqësuesve të besimeve fetare që në emër të bashkëpunimit nderojnë edhe martirët e përbashkët për atdheun dhe fene. Ne jemi këtu si pjesë aktive e një bashëpunimi me QBNF  që do ta vazhdojmë edhe më me intensitet gjatë vitit 2017

 

Faleminderit zoti Nessel

Duke falenderuar përzemërsisht të ftuarit tanë për fjalët inkuarajuese për ne dhe juve të nderuar të pranishëm për vemendjen dhe interesimin e treguar ftoj Myftiun e Elbasanit, zotin Agim Duka të na paraqesë kumtesën e Komunitetit Mysliman.

 

Martiret e besimit mysliman – Myfti Agim Duka

Martiret jane pjese e pandare e shoqerise njerezore te cilet kane vene besimin perpara jetes se tyre, pasurise apo ne disa raste edhe perpara familjes se tyre. Nuk eshte kerkuar nga martiret vetesakrifikimi i tyre apo edhe sic rendom thuhej ne vitet e pas komunizmit, mos fliste, ose mos vepronte kunder pushtetit. Por ka qene pushteti, njerezit e indoktrinuar me ideologjine sulmuese dhe njekohesisht dhunuese, te cilet me ane te dhunes sistematike kane hasur qendresen  monumentale te tyre derisa ata ne histori jane bere simbol.

Ideologjia komuniste ne themel te saj kishte dy parime kryesore; dhunen dhe materializmin me te cilen synonte barazine ekonomike mes njerezve dhe nuk  jepte asgje per pjesen shpirterore. Duke u munduar vetem per materializmin komunizmi sulmoi fene dhe ne format e ndryshme te kesaj metastaze u krijuan intensitete te ndryshme dhune ndaj perfaqesuesve fetare.

Pas ndërhyrjeve të dhunshme të shtetit në organizimin e jetës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, sekuestrimit të pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimi i literaturës, kufizimi i rreptë dhe kontrolli mbi Medresënë, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër denigruese dhe edukimin me përbuzjen ndaj fesë. Presion akoma më të madh përjetuan Pedagogët e Medresesë, duke nisur që në vitin 1945 me arrestimin e Hafiz Ali Korçës, drejtorit Hafiz Ismet Dibrës më 1946, Enver Beqirit më 1946, Vexhi Buharasë më 1947, Jonuz Buliqit më 1947, Shaban Demirit më 1946, etj. Klerikët myslimanë, përfshi dhe bektashinjtë, gjatë regjimit komunist përjetuan ngjarje tronditëse. Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit u vuri spiunë, u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.

Kleri mysliman u përndoq me forma dhe mjete nga më të ndryshmet nga ateistët e rinj që erdhën  dhe kontrolluan gjithçka që përbënte jetën e shenjtë dhe ritualet e besimtarëve. Si gjithnjë, në stilin e tyre komunistët e përqendronin goditjen në kokat e elitës fetare myslimane. Sipas statistikave vetëm gjatë dhjetë vjetëve të parë të diktaturës janë pushkatuar e dënuar 60 hafizë e hoxhallarë, 83 dervishe/baballarë bektashinj dhe një numër i madh të internuarish. Këta dhjetra të pushkatuar dhe qindra të internuar nga ky besim i bashkangjiten martirëve të parë të lirisë dhe besimit në pikun më të ashpër të diktaturës komuniste. Disa prej figurave më përfaqësuese publike të myslimanëve shqiptarë, u ekzekutuan me vdekje nga gjyqet komuniste midis një histerie popullore në sallën e gjyqit dhe jashtë, duke i përcjellë akuzat dhe shpifjet banale me megafon e radiotrasmetim, për të mbjellë llahtar në gjithë Komunitetin Mysliman.

Klerikët myslimanë jo më pak se klerikët e besimeve të krishtera u bënë kurbanë të besimit të tyre, besnikë deri në fund të jetës së tyre ndaj besimtarëve që përfaqësonin. Ata nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, i qëndruan besnikë fesë së tyre, atdheut dhe kombit, për të cilin shpirti i tyre mbeti i hapur dhe i lirë.

Sot, pas gjenocidit gjysmëshekullor mbi fenë, në kushtet e sotme të lirisë së besimit, ata dëshmorë të besimit dëshmuan të vetmin dinjitet njerëzor e kombëtar përpara Zotit dhe popullit të tyre. Prandaj është një mëkat i madh të mos kujtohen, e për më tepër të mos u njihet martirizimi. Shoqëria jonë nuk ka mundur t’u shlyejë borxhin e dinjitetit e mirënjohjes këtyre baballarëve shpirtërorë të kombit. Vepra e tyre dhe kujtimi i sakrificës së tyre duhej përjetësuar në shenja të paharrura për edukimin e brezave, se si ata, me shembullin, me veprën dhe jetën e tyre, krahas me klerin katolik e ortodoks, u ndeshën me fuqinë e të keqes dhe fatkeqësinë që pllakosi popullin tonë.

Sot kujtojmë me respekt martirët e besimit, dëshmorët e fjalës së lirë, deshmoret e përballimit me forcat e territ fe-mohues, njerëzit e mëdhenj me të cilët çdo komb do të mburrej.

Është e pamundur të mos qëndrojmë me respekt para kujtimit të elitës së dijetarëve myslimanë shqiptarë që u sprovuan në burgjet komuniste a në lirinë e tyre intelektuale, si:

  1. Hafiz Ali Korça (burgosur në vitin 1945),
  2. Hafiz Ibrahim Dalliu (burgosur në vitin 1946),
  3. Hafiz Ismet Dibra, ish- drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë (burgosur në vitin 1946),
  4. Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966),
  5. Dede Reshat Bardhi (internuar 15 vjet),
  6. Haki Sharofi, ish-kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” (burgosur në vitin 1946),
  7. Jonuz Bulaj (burgosur në vitin 1946),
  8. Vexhi Buharaja (burgosur në vitin 1946),
  9. Ismail Muçej (burgosur në vitin 6 shtator 1952 – 24 prill 1963),
  10. Haxhi Faik Sheh Qazim Hoxha (burgosur në vitin 4 qershor 1966),
  11. Hasan Tahsini (burgosur në vitin 1947),
  12. Baba Bedriu i Brerimës (ekzekutuar në vitin 1947),
  13. Baba Hajro Progonati (ekzekutuar në vitin 1947),
  14. Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit (burgosur në vitin 1945),
  15. Hafiz Sherif Lëngu, ish-kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit (burgosur në vitin 1945),
  16. Hafiz Esat Myftia, ish-kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar (burgosur në vitin 1946),
  17. Hafiz Musa Dërguti[1] (burgosur në vitin 1946),
  18. Hafiz Ali Kraja[2] (burgosur në vitin 1945),
  19. Imam Liman Shabani (vdekur në burg më 1945),
  20. Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947),
  21. Sheh Ibrahim Karabunara (vrarë në burg më 1947),
  22. Sheh Myslim Luma (vdekur në burg më 1953),
  23. Baba Myrteza Kruja (vdekur në burg më 1945),
  24. Imam Ahmet Hyseni (vdekur në burg më 1945),
  25. Dervish Mehmet Verleni (vdekur në burg më 1947),
  26. Xhemal Naipi (me vendim nr. 218, dt. 23.6.1947 të Gjykatës Ushtarake Shkodër është dënuar … me privim lirie për jetë, me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike…- vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij),
  27. Hafiz Sheuqet Boriçi (i vetëizoluar në shtëpi deri në vdekje),
  28. Hafiz Sabri Bushati (u vetëizolua në shtëpi në vitin 1967, në moshën 77 vjeçare deri në vdekje),
  29. Molla Alush Zaganjori (i vetëizoluar në shtëpi deri në vdekje),
  30. Shejkh Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi (u ndalua disa herë nga regjimi komunist për të vizituar vendlindjen e tij, Shkodër), etj.

(Për efekt të moszgjatjes, nuk po përmend shumë emra të hoxhallarëve të nderuar, të dënuar me punë të rënda fizike e denigruese në syrin e shoqërisë. Sprova e tyre ishte më e rëndë se ekzekutimi i menjëhershëm, internimi a burgosja e gjatë!)

Janë të shumtë. Edhe më shumë sesa të përfshihen në këtë përkujtimore jo të parastësishme.

All-llahu e pranoftë vuajtjen e tyre, sakrificën, durimin, persekutimin, brengat, lutjet me duar të lidhura e të gjakosura..!

“E për ata që u vranë në rrugën e Allahut mos thoni: “Janë të vdekur”, Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni (gjallërinë e tyre)”.

Te rinjte qe nuk kane jetuar ne diktature nuk arrijne dot te vleresojne lirine, e quajne ate si dicka te natyrshme dhe duke mos u njohur me konceptet baze dhe modelet e njeriut te lire shpeshhere pa dashje bien ne gracken e manipulimit te informacionit. Njohja e historise dhe sidomos njohja me faktet historike eshte shume e rendesishme dhe ne duhet te perpiqemi qe ti servirim brezave pasardhes ato fakte te pashtremberuara, ato dokumente, ato ngjarje ashtu si kane ndodhur, dhe eshte po detyre e jona qe analizen ta bejme ne kthjelltesi me qellimin e vetem per te servirur te verteten e vuajtjeve te popullit tone. Pikerisht se per shkak te ndalimit te fese populli yne u tjetersua, u largua nga vlerat tradicionale, adaptoi mekanizma dhe ndertoi nje sistem vrases dhe shkaterrues.

Prandaj eshte detyre jona qe kete rini ta orientojme drejt lumturise, drejt paqes shpirterore, drejt progresit, drejt te ardhmes se ndritur te shoqerise sone.

Lus zotin qe martiret tane te jene frymezim per ne dhe brezat pasardhes.

faleminderit

 

Faleminderit i nderuar Myfti

Tani ftoj famullitarin e Kishës Katolike Shën Piu X Don Emilio Valente, njëkohësisht zëvëndës kryetar i QBNFE për të mbajtur kumtesën e Komunitetit Katolik

Mirdita tw dashur!

Doktrina e krishterë, përsa i përket martirizimit, në Katekizmin e saj në numrin 2473, shkruan: Martirizimi është dëshmia supreme e bërë ndaj fesë; martiri është një dëshmitar që arrin deri në vdekje. Ai i bën dëshmi Krishtit, të vdekur dhe të ringjallur, me të Cilin (d.m.th Krishtin) është i lidhur në dashuri. [Martiri] i jep dëshmi të vërtetës në fe dhe doktrinës së krishterë. I bën ballë vdekjes me një akt force. «Më lini që të jem ushqim për kafshët. Vetëm kështu do të jetë më e mundur të arrij Hyjin »”. (Shën Injaci i Antiokisë, Epistula ad Romanos, 4, 1: SC 10bis, p. 110 (Funk 1, 256). Dhe në numrin 2472 thotë: “Detyra e të krishterëve për të marrë pjesë në jeten e Kishës i nxit të veprojnë si dëshmitarë të Ungjillit me obligimet që ka si pasojë. Kjo dëshmi është transmetim i fesë në fjalë dhe vepra. Dëshmia është një akt drejtësie. Deshmon ose bën të njohur të vërtetën: «Të gjithë të krishterët, kudo që jetojnë, duhet ët dëshmojnë me shembull jete dhe me dëshminë e fjalës njeriun e ri, që kanë riveshur në Pagëzim, dhe me forcen e Shpirtit Shenjtë, me të cilin janë fuqizuar me sakramentin e Krezmimit»”. Pasi kam thënë këtë, do të doja tani të propozoja dy shqyrtime të përgjithshme mbi martirizimin.

  • Shqyrtimi i parë është:

Ekziston një Njëkohësi e martirizimit (martirizimi nuk është diçka e kufizuar në shekujt e parë të krishterimit): viti 900 ishte për Kishën Katolike “shekulli i martirizimit“. Papa Gjon Pali II ka shkruar për Jubileun e Vitit 2000 “që në fund të mijëvjeçarit të dytë [Kisha]” është bërë edhe një herë një Kishë e dëshmorëve/martirëve” (TMA, 37) dhe, duke cituar Tertulianin, tha se “gjaku i martirëve është fara e  krishterëve të rinj”, dhe është gjithashtu “burim vital i unitetit të Kishës” (Angelus 25 gushto 1996).

Sot të gjithë (sepse historia na ka treguar një “globalizim” të martirizimit) ne, duhet t’i bëjmë vetes një pyetje vendimtare për kohën tonë, d.m.th, mbi mundësinë e bashkëjetesës dhe unitetin e popujve dhe kombeve, vënë në diskutim pikërisht në atë zonën e Mesdheut që kishte parë të jetojnë sëbashku për shekuj me rradhë besime dhe kultura të ndryshme.

Por këtë çështje, ne e jetojmë këtu në Shqipëri, është një realitet që prek të gjithë popujt, tërë kombet dhe të gjitha traditat fetare. Të mendojmë, për shembull, bashkëjetesen mes hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve gjatë Perandorisë Osmane. Sigurisht Dhimmit (dmth të mbrojturit), konkretisht hebrenjtë dhe të krishterët jetonin në një regjim të varësisë dhe nënshtrimit, por edhe në një liri të caktuar dhe kulture të ndërthurur. Sot e gjithë kjo duket kompromis në mënyrë të pariparueshme. Situata e Sirisë dhe Irakut, me rindërtimin e Hilafetit/Kalifatit, duket se ka dëmtuar / dobësuar / vënë në kompromis seriozisht këtë bashkëjetesë. Përballë këtij skenari, botëror por edhe vendor, pyetja është: a mund të jetojmë akoma sëbashku edhe pse jemi të ndryshëm? Dhe, cili është roli i të krishterëve në një botë të globalizuar si e jona?

Ne lexojmë në letren drejtuar Diognetit, një tekst të krishterë të shekullit të dytë: “të krishterët as nga vendi, as gjuha, as zakonet nuk dallohen nga njerëzit e tjerë. Në fakt ata nuk banojnë në qytetet e tyre (vetem per te krishtere!), as përdorin një gjuhë që i dallon nga të tjerët, dhe as nuk kanë një jetë të veçantë. Doktrina e tyre nuk është në zbulimin e mendimit të njerëzve shumëformësh, dhe as nuk i përkasin një lëvizjeje filozofike njerëzore, si të tjerët. Duke jetuar në qytete greke dhe barbare, sikurse çdokujt i ka ndodhur, dhe duke iu përshtatur zakoneve të vendit në veshje, ushqim dhe tjetër, dëshmojnë një mënyrë jetese shoqërore të admirueshme dhe padyshim paradoksale. Ata jetojnë në atdheun e tyre, por si të huaj; ata marrin pjesë në çdo gjë si qytetarë, dhe nga çdo gjë janë të shkëputur si të huajt.

Çdo vend i huaj është atdheu i tyre, dhe çdo atdhe është i huaj … Ata banojnë në tokë, por ata kanë shtetësinë e tyre në qiell” (V, 1-9). Mund të jetë ky, sekreti i jetës së krishterë dhe e dëshmisë së krishterë në një botë pluraliste dhe të globalizuar, në të cilën ndryshimi shpesh bëhet shkak për ndarje dhe jo e bashkimit dhe e bashkëndarjes: universaliteti i krishterë është edhe ndryshueshmëria e krishterë. Ajo mbetet një ofertë në një botë ku nacionalizmat janë të ringjallur duke përdorur fenë si justifikim dhe burim i identitetit kundër të tjerëve. Kjo ndodh në Lindje, por është edhe pjesë e tensioneve Perëndimore, ku identiteti i tyre bëhet subjekt i ndarjes dhe refuzimit të identiteteve të ndryshme, ku frika nga ndryshueshmëria krijon egoizem dhe rrit mbylljet [zgjedhjet e fundit amerikane dhe zgjedhjet e disa shteteve evropiane ndaj emigrantëve na bën të mendojmë!]. Duket pothuajse paradoksale ajo çfarë ndodh në shoqërinë tonë: ne jemi globalë dhe ndërtojmë komunitete planetare virtuale, ndërsa mbetemi në mbrojtje fisnore të të veçantës sonë, grupit tonë, territorit tonë. Vërtet komunitetet virtuale nuk e zgjidhin problemin themelor të çdo qenieje njerëzore: gjithsesi vetmia e shumë Unë-ve duhet të jenë të kombinuar me individë të tjerë për të bërë të mundur një komunitet të vërtetë. Por, duke u nisur nga Un-i ynë që ushtrohet në këtë rrjet, secili është pronar për të ndërtuar komunitetin e tij, duke shtuar ose fshirë miq sipas dëshirës, përderisa asnjë nuk do qëndrojë shtrembër në rrugen e vet. Edhe ata që janë regjistruar në librin e armiqve nuk do të luftojnë me ju, sepse në këtë rrjet mund të ndryshohet edhe identiteti ose të zhdukeni përgjithmonë. Megjithatë, kjo detyron të mbetesh në sistemin e një Un-i që imponon një vizion të realitetit vetëm duke u nisur nga vetja, dhe çdo pikëpamje e ngushtë gjithmonë prodhon dëme, rrezikon bashkëjetesën që gjithsesi herët a vonë duhet të bëhet e vërtetë, sepse të tjerët nuk mund të eliminohen kurrë krejtësisht. Të gjithë herët a vonë do të duhet t’i takojë ata.

  • Shqyrtim i dytë është ky.

Ne jemi pak më shumë se 50 vjet pas Nostra Aetate, shpalljes së Koncilit II të Vatikanit që i dha fillim një mënyrë të re të Kishës se si të këtë lidhje me fetë e tjera. Nga ky dokument del në pah një vizion dhe një përkushtim, e cila ka hapur një mënyrë të re për të parë të tjerët dhe sesi të jetojmë me të tjerët. Ky është një vizion që është bërë për shumë njerëz angazhim takimi dhe dialogu. Natyrisht, një Kishë në dialog është edhe një Kishë e dëshmorëve/martirëve. “Unë po ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve”, tha Jezusi duke dërguar në mision 72 dishepujt (Lk 10). Por qengjat duhet t’u thonë ujqërve vetëm “paqe”. “Në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: Paqe në këtë shtëpi”. Ky është misioni i Kishës dhe kjo është, në fund të fundit, dëshmia e martirëve në shumë anë të botës; është mënyra autentike për të qenë të krishterë në botë!

Këtu kthehet qendralizimi i martirizimit, i identifikimit me Zotin në kryq që jep jetën për ne mëkatarët. Kthehet zgjedhja e të qënit të gjithë të udhëzuar ndaj martirizimit si një zgjedhje e një jete të dhuruar për të tjerët. Është dallim i madh mes atij që dhurohet si martir dhe atij që vret të tjerët! Në fund të viteve ’60, një teolog i njohur katolik, Hans Urs von Balthasar, shkroi: “Ajo që është veçanërisht e rëndësishme nuk është vdekja fizike, por dhuntia e përditshme e jetës së tij për Zotin dhe vëllezërit. “Jo të gjithë, thotë Koncili II i Vatikanit, do të kenë nderin për të dhënë fizikisht gjakun e tyre, të jenë të vrarë për besimin e tyre; por Perëndia u kërkon të gjithë atyre që besojnë në Të, të kenë një Shpirt martirizimi, sepse të gjithë duhet të jemi të gatshëm të vdesim për besimin tonë, edhe në qoftë se Zoti nuk na jep këtë nder. Ne, po, jemi të gatshëm, në mënyrë që kur të vijë koha jonë për të dhënë llogari, mund të themi “Zot, unë kam qenë i gatshëm të jap jetën time për ty. Dhe e dhashë”.

Sepse të japësh jetën nuk do të thotë vetëm të jesh i vrarë; të japësh jetën, të keshë shpirtin e martirizimit është që të jepesh në detyrë, në heshtje, në lutje, në përmbushjen e detyrës të ndershme; është të bëhesh mbrojtës i të varfërve, të jesh një promovues dhe dëshmitar i solidaritetit, i drejtësisë, i ndershmërisë, paqes, dialogut, është të japësh jetën tuaj gradualisht, në heshtjen e jetës së përditshme, sikurse e jep një nënë që pa frikë, me thjeshtësinë e martirizimit amëtarë, ajo lind, ushqen, rrit dhe kujdeset për djalin e saj me dashuri. Ky lloj martirizimi nuk ndodh për shkak të odium fidei (në urrejtje të besimit), por in odium iustitiae (në urrejtje të drejtësisë) dhe, me thellësi më të madhe në odium misericordiae (në urrejtje ndaj dashurisë, mëshirës), sepse Hyji është dashuri, drejtësi.

Kjo perspektivë ndryshon edhe “kartat në taavolinë” d.m.th, përpara mendohej që meqenëse martirizimi ishte motiv i besimit fetar, persekutuesit ishin zakonisht të një feje tjetër. Me këtë perspektivë, dhe historia e konfirmon, ne kemi njerëz që i përkasin besimit të krishterë, që me zgjedhjet e tyre, bëjnë viktimat të krishterë, njerëz myslimane që me zgjedhjet e tyre bëjnë viktima muslimanë (të mendojmë për luftërat dhe viktimat në Afrikë, në Amerikën jugore, Azi dhe Evropë, sa shumë “viktima sociale” të njëjtët qytetarë të një kombi apo feje krijojnë brenda të njëjtit vend, ose brenda së njëjtës fe)!

Në këto kohë pyetja, të paktën për ne të krishterët, sot është nëse diversiteti i krishterë (d.m.th të qënurit të ndryshëm, jo të omologuar, a mund të kemi një identitet fetar tonin) nuk është për të dëshmuar botës që ia vlen “të humbasim jeten tonë” duke e dhënë atë falas çdo ditë, sepse vetëm duke e dhënë atë, na vjen gëzimi dhe realizohemi, ndërsa instinktet egoiste dhe tregu neoliberal, do të donin që secili të mbronte mirëqënien e tij, kufinjtë ë tij, duke prodhuar kështu një dhunë të madhe dhe vdekjen e miliona njerëzve.

Martirizimi, d.m.th dëshmia e krishterë, fillon kur vendosim për të marrë mbi vete dhimbjen e të tjerëve, kur bëhemi pak “të gjithë Cireneu që pranon të mbart mbi vete sado pak kryqin e më të vaujturve.

 

Faleminderit don Emilio

Nga Komuniteti Ortodoks ftoj Hirësi Andonin, Metropolit i Elbasanit, Shpatit e Librazhdit, të paraqesë kumtesën për martirët e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

 

Referat nga Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andoni

 

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Komuniteteve Fetare, të nderuar drejtues dhe përfaqësues të autoriteve vendore dhe qendrore, të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të selive diplomatike në Shqipëri, të nderuar miq, të ftuar dhe pjesëmarrës.

Jemi mbledhur sot në prag te festave të nëntorit të cilat shënojnë dy ngjarje të rëndësishme në historinë e vendit tonë, atë të pavarësisë dhe të çlirimit, për të kujtuar dhe folur mbi një periudhë gjithashtu të rëndësishme që përshkoi shekullin e kaluar, atë të persekutimit ateisto-komunist ndaj fesë dhe institucioneve fetare, klerikëve dhe njerëzve të besimit, pa dallim.

Një temë e tillë nuk është shumë e këndshme për të folur, për më tepër në këtë atmosferë festivë që po afron, pasi ajo përbën një përiudhë aspak të lavdishme, për të mos thënë të turpshme e të dhimbshme për popullin tonë, ku plagët e saj mund të thuhet se janë ende të freskëta dhe pasojat shumë të prekshme.

Por me gjithë këtë, vlerësojmë se është e rëndësishme të ndalemi për pak kohë edhe në këtë takim të sotmin mbi këtë temë dhe të hedhim dritë mbi vuajtjet dhe persekutimin e pashembullt në disa raste, që iu desh të përballej kleri në Shqipëri dhe institucionet fetare, pa dallim, për të mos harruar ngjarje, që vlerësojmë se kanë shumë për të na mësuar edhe sot, parë kjo nën një ditë të re dhe një përvojë aktuale që po kalojmë, atë të lirisë dhe demokracisë, aq shumë të dëshiruara nga brezat e mëparshëm.

Persekutimi komunist sigurisht që nuk ishte vetëm një fenomen shqiptar, ai u importua në faza të ndryshme nga vende ku propaganda komuniste u zhvillua më shumë dhe ku ideologjia komuniste binte ndesh me atë të besimit. Kështu kjo valë persekutimi u përhap nga vendet e Evropës së Lindjes edhe në Shqipëri, e cila bënte pjesë në këtë bllok dhe influencohej nga këto ide dhe praktika.

Në disa nga vendet e Lindjes persekutimi ndaj fesë mori me të vërtetë përmasa eskatologjike, ku mbyllja e objekteve të kultit ose shembja e tyre, përndjekja e klerikëve me burigim ose dënime me vdekje, u kthey në një fenomen të frikshëm; e gjithë kjo e prezantuar nën maskën e zhvillimit dhe të modernizimit të kombeve, duke prodhuar në këtë mënyrë edhe disa nga mizoritë më të mëdha çnjerëzore të cilat mbeten ende të pa kutptueshme për brezat që pasuan.

Vetëm në ish Bashkimin Sovjetik numërohen në Kishën Ortodokse rreth 200,000 priftërinj, murgjër dhe murgesha konsiderohen të vrarë nga regjimi komunist. Gjithashtu nga 300 peshkopë ortodoksë rusë, 250 prej tyre u vranë nga bolshevikët. Deri në vitin 1939 vetëm 500 kisha mbetën të hapura nga 50,000 të tilla. Pa folur këtu për numrin e madh të popullsisë prej rreth 20 milionë vetë që vdiqën në kampet e përqëndrimit dhe 15 milionë të tjerë në pushkatime masive.

Në këtë kuadër të luftës ndaj fesë dhe klerikëve pa dallim u përfshi edhe vendi ynë, ku demagogjia, brutaliteti dhe mendjemadhësia e marrë na çuan deri aty sa të deklaronim që jemi vendi i parë ateist në botë, duke dhunuar haptas dhe pa asnjë mëdyshje çdo ndjenjë besimi dhe ndërgjegje të qytetarëve dhe duke imponuar dhunshëm ideologjinë ateisto-komuniste. Për pasojë edhe në vendin tonë u persekutuan klerikë të çdo besimi, me pushkatime, burgime, torturime dhe internime si dhe punë të detyruar dhe mohim i të drejtave themelore qytetare.

Duke ardhur në rastin e Kishës Ortodokse në Shqipëri persekutimi komunist njohu dy faza, atë të periudhës pas luftës 1945-1967 dhe atë të ateizmit të plotë 1967-1990. Në të dyja këto faza regjimi u tregua tepër i ashpër dhe i kujdesshëm që të realizonte fillimisht kontrollin dhe kufizimin e veprimtarisë së Kishës Ortodokse ashtu si edhe në ndalimin përfundimtar të çdo lloj aktiviteti shpirtëror dhe ceremonial dhe shpërbërjen e plotë të strukturave të saj. Në të njëjtën kohë u konfiskuan pasuritë e saj të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat kishin vlera të një karkateri sa fetar aq edhe historik e kulturor, ku një pjesë e mirë e tyre u dëmtuan, u vodhën ose u shkatërruan.

Luftën kryesore regjimi komunisto-ateist e përqëndroi ndaj klerit të lartë ortodoks, i cili ishte në rolin udhëheqës të grigjës, por njëkohësisht dhe më i mirë formuar si nga ana shpirtërore ashtu edhe akademike. Në të njëjtën kohë, sistemi ishte i ndërgjegjshëm që këta barinj shpirtëror ishin të parët që do i kundërviheshin propagadës komuniste, duke edukuar e paralajmëruar grigjën për rreziqet që po i dilnin dhe mënyrën se si duhej të beheshin gati për t’u ballafaquar.

Kështu, shumë shpejt me ardhjen në pushtet të regjimit komunisto-ateist pas luftës së dytë botërore filloi menjëherë akuzat dhe luftën ndaj klerikëve të lartë si Epikopit të Beratit Imzot Visarionit, ndaj të cilit ngriti një seri akuzash të organizuara dhe pretendimesh të pabaza se gjoja kishte bashkëpunuar me pushtuesit fashist dhe nazist kundër LNÇ duke ju dhënë atyrë informacione, ose duke mbajtur marrëdhënie pas lufte me misionarë të huaj anglezë dhe amerikanë e duke ju dhënë atyre informacione për popullin shqiptar. Në të njëjtën kohë u kujdesën të ngrinin njerëz të ndryshëm të lidhur me pushtetin, duke ngritur akuza se gjoja nuk i kishte trajtuar mire priftërinjtë ose kishte shfrytëzuar fshatarësinë, duke ju kërkuar ushqime dhe para jashtë kuotave të caktuara, gjëra tërësisht të pavërteta, të cilat sistemi dinte shumë mirë t’i përdorte dinakërisht ndaj kundërshtatëve të saj.

Kështu që në vitin 1947 Imzot Visarioni arrestohet në Vlorë gjersa shkonte në kishë dhe burgoset në burgun e Vlorës dhe pas vendimit të gjyqit dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit ku i duhet të vuajë dënimin prej 20 vitesh heqje lirie dhe 5 vite heqje nga të drejtat civile me punë të detyruar. Kjo ishte mënyra me të cilën regjimi komunist po i shpërblente tashmë intelektualët dhe personalitetet e respektuara të vendit të cilët kishin dhënë një kontribut të madh në ringritjen e institucioneve shtetërore dhe fetare në vend. Visarioni vuajti në moshë të thyer 15 vite burg, në mes të tortura çnjerëzoreve dhe poshtëruese, kushteve të vështira dhe të papërballueshmë për moshën dhe kushtet e tij. Lirohet nga burgu vetëm 5 vite përpara mbushjes së afatit dhe u la i izoluar në Manastirin e Shën Joan Vladimirit këtu në Elbasan, në vendin e tij të lindjes.

Qëndresa e tij gjatë viteve të burgut, paepshmëria e tij ndaj përpjekjeve për ta ironizuar ose poshtëruar, duke ruajtur të pastër figurën e klerikut të lartë ortodoks ngjalli simpatinë dhe respektin e bashkëvuajtësve të tij në burg, të cilët më vonë dëshmuan për qëndresën e tij stoike dhe martirike. Ai ndërroi jetë në vitin 1965, i braktisur nga njerëzit e tij të afërm dhe nga besimtarët që aq shumë e donin dhe e respektonin, por që për shkak të represtionit nuk mundnin dot ta viztionin.

Gjithashtu sistemi nuk kurseu as Kryepiskopin e formuar dhe shpirtëror Imzot Kristofor Kisin, i cili ishte njëkohësisht dhe Kryepiskopi i parë kanonik në Kishën Orthodhokse pas përpjekjeve të Visarionit. Ai u detyrua nga regjimi të braktiste detyrën e lartë që mbante në vitin 1948, duke e izoluar edhe atë në kishën e Shën Prokopit në kondrat e Tiranës, sot parku i liqenit. Aty në rrethana misterioze u gjet një mëngjes i shtrirë përdhe dhe i pamundur për të komunikuar, ku pas disa ditësh ndërroi jetë në spital në vitin 1959. Dyshimet e besimtarëve mbeten se regjimi kishte përgatitur me kujdes helmimin dhe zhdukjen e tij fizike nga skena kishtare, duke ju hapur rrugë elemntëve të tjerë pro regjimit, me të cilët do të ishte me e lehtë të arriheshin kontrolli mbi Kishën deri në asgjesimin e saj.

I njëjti fat e priti edhe Episkopin e Apollonisë Imzot Irine Banushin nga Shkodra, ndihmësin e Kryepiskop Kristorit, edhe ky një tjetër klerik i lartë i formuar që gëzonte reputacion të lartë, i cili u dënua dy herë me akuza të gënjeshtërta dhe kedashëse për agjitacion dhe propagandë dhe vuajti dënimin me heqje lirie 7 dhe më pas 5 vjet. Pas dënimit u detryrua të qëndronte i izoluar në Manastirin e Ardenicës në Lushnjë, ku i sëmurë rëndë ndërroi jetë pranë mbesës së tij në Tiranë.

Aq i madh ishte pikëllimi dhe pesha e rëndë e persekutimit dhe e trajtimit çnjerëzor që iu bë klerikëve të lartë sa që Imzot Qiril Naslazi me detyrë Episkop i Korçës, pas vitit 1967 të mbylljes së kishave qëndroi i ngujuar në shtëpi pa e hequr rason e klerikut dhe nga dëshpërimi i thellë ndërroi jetë brenda katër muajve.

Sigurisht që regjimi u tregua i ashpër edhe ndaj klerikëve të tjerë, priftërinj të martuar dhe familjarë, të cilët kishin punuar me zell dhe përkushtim ndaj Kishës dhe Zotit si edhe ndaj besimtarëve, për këtë arsye gëzonin simpatinë e besimtarëve dhe të popullit, gjë që i friksonte komunistët.

Kështu, nën akuza absurde u dënua si “armi i popullit” kleriku Atë Gjergji Suli nga Lekli i Tepelenës, veprimtar i shoqatës “Vatra” në Amerikë dhe zotërues i disa gjuhëve, i cili kthehet në Shqipëri në vitin 1934 dhe shërben si prift në disa fshatra të zonës së Jugut. Arrestohet në vitin 1946 si “bashkëpunëtor” i anglo-amerikënve dhe pushkatohet në janar 1947.

Gjithashtu Atë Dhimitër Leka nga Kudhësi i Sarandës, arrestohet në vitin 1944 dhe dënohet me vdekje nga një trup gjykues partizan dhe pushkatohet nën akuzën “armik i popullit” në përroin e fshatit.

Atë Kostandin Bozdo lindur në Koshovicë, Gjirokastër, i cili arrestohet dhe torturohet për 16 muaj dhe dënohet me vdekje nën akuzën e “tradhëntisë ndaj atdheut” në  vitin 1964.

Atë Llazar Popi vdes i brugosur në Sanatoriumin e Tiranës në vitin 1972.

Së bashku me këta maritë të besimit ishin të shumtë klerikët ortodoksë të cilët të detyruar të braktisin misionin e tyre shpirtëror në dobi të besimtarëve u gjendën përpara një propagade të egër denigruese dhe përçmuese, duke u përballur me metoda të ndryshme poshtëruese publike. Të papunë e të keqtrajtuar, të punësuar më vonë në punë të rëndomta e aspak të përshtatëshme për personalitetin dhe kontributin që i kishin dhënë vendit dhe popullit ata shpesh bëheshin objekt sulmesh dhe keqtrajtimesh, duke shkatktuar tronditje dhe brengë të mëdha tek ta dhe tek familjarët e tyre, të cilët shpesh bëheshin dëshmitarë të këtyre skenave dhe ngjarjesh.

Karakteristik është rasti i Papa Jorgjit, priftit të Bularatit në Gjirokastër, i cili më parë se të bëhej prift kishte studiuar për mësuesi dhe agronomi. Me fillimin e persekutimit dhe i detyruar të linte misionin e priftërisë, duke punuar si punëtor i thjeshtë i rruga-urës ngacmohet nga një bashkëfshatar i tij ortodoks ndërkohë që po pushonte gjatë vapës së nxehtë, i afrohet duke i thënë: “Në botë do të keni shtrëngim”. Por papa Jorgji me qetësi i përgjigjet duke përfunduar vargun: “por kini guxim, unë e munda botën” (Jn. 16:33). Dhe në një rast tjetër kur iu kërkua nga pasues fanatik të partisë komuniste të shkelte mbi një kryq të madh që kishin vijëzuar në tokë, ai u ul në gjunjë me shprestari, shtriu duart dhe e puthi.

Të tjerë klerikë pavarësisht rrezikut, kërcënimeve dhe kontrolleve të vazhdueshme nuk i braktisën shërbesat e shenjta, duke i kryer ato në fshehtësi të plotë në mesnatë e duke ju shpërndarë besimtarëve kungatën ose duke kryer pagëzime në fshehtësi. I tillë ishte edhe Atë Kozma Qirjo nga Bestrova e Vlorës, më vonë Episkop i Apolonisë në vitin 1998, i cili vazhimisht kryente shërbesën e Liturgjisë hyjnore në ora 2 të mëngjesit deri në 5 i ndihmuar edhe nga djali i tij, sot edhe ai prift. Në të tilla kushte u pagëzua në vitin 1979 edhe Mitropoliti i Korçës sot Imzot Joani nga Atë Kozmai në shtëpinë e tij natën në prani të besimtarëve të tjerë.

Në të njëjtën mënyrë edhe shumë klerikë të tjerë e besimtarë ortodoksë e ruajtën të pashuar flakën e besimit, e cila edhe pse mes furtunave dhe tronditjeve të mëdha mbeti e paprekur dhe në momentin e duhur gjeti përsëri shpërthimin dhe lulëzimin e menjëhershëm. Sado që sistemi anti-njerëzor komunisto-ateist u përpoq të çrrënjoste nga zemrat e njerëzve besimin tek Zoti ai rezultoi i kotë. Edhe një herë objektet e kultit u hapën, pavarësisht sfidave me të cilat u desh të përballeshin Komunitetet Fetare në ringritjen dhe riorganizmin e struktura të tyre dhe rindërtimin e objekteve të kultit, besimi tek Zoti u bë përsëri një realitet i prekshëm.

Vitet e persekutimit të egër ateisto-komunist edhe një herë tregoi se vlerat e vërteta të dashurisë, sakrificës, drejtësisë dhe lirisë gjënden të lidhura ngushtë me ato të besimit tek Zoti dhe në dashurinë për vendin dhe njerëzit e tij. Për këtë arsye edhe ne si drejtues fetarë kemi ndërmarrë një detyrë sa të vështirë por aq të bukur në mbrojtje të këtyre vlerave dhe të zhvillimit gjithnjë e më tepër të tyre, duke ju përgjigjur siç duhet sfidave dhe kërkesave të kohës.

Lavdi dëshmorëve të fesë dhe të atdheut, i përjetshëm kujtimi i tyre! Amin!

Gëzuar Festat!

Elbasan, 26 nëntor 2016

 

Faleminderit i Hirësia Juaj

Së fundi ftoj Haxhi Dervish Ardit Selmani për kumtesën nga Komuniteti Bektashian

 

Të nderuar personalitete të lartë shtetërorë!

Të nderuar vëllezër të mij, përfaqësues të komuniteteve tradicionalë fetarë në Shqipëri!

Motra dhe vëllezër!

Ky event kaq domethënës, në pragun e 104 vjetorit të pavarësisë së kombit tonë, përveçse një homazh për jetën dhe veprën e klerikëve tanë, të të gjitha besimeve dhe feve, është padyshim rikthim në një dritë të madhe. Rikthim në dritën e pashtershme, përmes së cilës, çdo minutë të jetës të një kleriku, shndrrohet në një besim hyjnor, në të cilin nuk ka  asgjë të ndashme midis devocionit ndaj  Zotit dhe dëshmorësisë ndaj kombit. Ky unitet gati emblematik, ka shoqëruar në shekujt e shkruar dhe vazhdon të jetë i tillë deri në ditët e sotme, gjithë brezat e klerikëve shqiptarë, të cilët përcjellin në mbështetësit e tyre porosinë profetike “Pa atdhe nuk ka fe”

E kam të vështirë të flasë këtu për udhëqësit e besimeve të ndryshme, por ne bektashinjtë na ka udhëhequr qysh në krye të herës mësimi i ndritur i Haxhi Bektash Veliut. Fjalët e tij, të shkruara gati 800 vite më parë, janë të skalitura në brezat e milona besimtarëve, dhe janë sjellë deri në kohërat që jetojmë përmes veprës të tij “Makalat”: “Pas urdhërave të Zotit të  Vërtet dhe   të Lartësuar, duhet qëndruar lidhur ngushtë. Duhen bërë vetëm ato që Ai na ka urdhëruar t’i bëjmë, duke u qëndruar larg, atyre që na urdhëron të mos i bëjmë. Në dashtë Zoti i Lartë të na nderoj në mirësinë dhe begatinë e veprave, ne do ta kujtojmë gjithmonë Atë  përmes fshehtësisë të marifetit. Gjithësesi nënshtrimi i robëve është: të falin namaz, të agjërojnë, të japin  zekatin, të shkojnë në Haxh, të marrin pjesë në luftë kur atdheu është në rrezik.” Komentet janë të  tepërta.

Lëvizja autonomiste e kombit shqiptar, nuk mund të kuptohet në asnjë rast pa kontributin e klerikëve tanë myslimanë dhe të krishterë. Ndërkaq historiografia e sotme shqiptare dhe bektashiane, përmes dokumentash autentike sidomos të kancelrive të Austro-Hungarisë, na bën me dije rreth fakteve shumë domethënës që dervishët dhe baballarët tanë, nën devizën “me pushkë dhe penë për mëmëdhenë” i shndruan teqet në krejt trojet arbërorë, në  vatra dije dhe atdhetarizmi.

Do të më lejoni të nderuar të pranishëm, që në morinë e mijra faqeve dokumentave të sjell vetëm disa rreshta për klerikët bektashinj që jetun e dhanë frymën në shekullin e kaluar, materiale të cilat mund t’i gjeni të gjithë në Arkivin tonë të Shtetit, në fondin e vitit 1937, dosja numër 50. Ja çfarë thuhet tekstualisht për baba Meleq Shëmbërdhenji, dervish i baba Abazit të Egjyptit, ardhur këtu në vitin 1879. Sa kohë qëndroi në Egjypt ky baba mblidhte rreth vetes miq dhe u bënte me dije fatet e atdheut. Në vitin 1896 iku në Anadoll dhe vajti në teqenë e Merdiven Qojit në Stamboll, ku nëpër kopshtije fshehurazi bashkonte shqiptarë dhe u jepte mësime gjuhe… Në vitin 1905 shkoi në Bukuresht dhe u kthye s’andejmi me 2000 libra dhe abetare në shqip.” Ndërsa për Haxhi Hysen Babain e Dibrës së  Madhe thuhet: “Ka marrë pjesë në mbledhjen e Frashërit të kryesueme prej të ndjerit Baba Alushit dhe në të gjitha vendimet e Lidhjes së Prizrenit. Ka qënë ndër përkrahësit dhe mik ideal i Abdyl Frashërit.” Ndërkaq në po në këtë fond lexojmë për baba Hysen Melçanin: “Është nga mëmdhetarët më të mëdhenj të çështjes shqiptare. Në vitin 1895 e gjejmë me mbrojtësit e gërmave shqipe në Korçë dhe shok të pandarë me Orhan dhe Çerçiz Pojanin, Thimi Mitkon, Vani Cicon e të tjerë. Në shkurt të vitit 1906 me përpjekjet e tij, është krijuar i pari komitet i lirisë kombiare me një çetë të kryesuar prej Bajo Topullit, Qamil Panaritit, Selim Pojanit etj, ndërsa në mitingun e protestimit në Korçë, kudër alfabetit tonë me shkronja arabishte, në vitin 1909, baba Hyseni ishte një nga misionarët kryesorë.”

Të nderuar të pranishëm!

Këta rreshta të cituar prej arkivave tanë, janë padyshim një  pikë ujë në detin e përpjekjeve të klerikëve bektashinj në aspiratat e kombit tonë. Edhe gjatë vieve të Luftës së Dytë Botërore, me dhjetra dervishë dhe baballarë, do të rreshtoheshin në formacionet e luftëtarëve shqiptarë, në mbrojtje të vatanit. Për krejt ata klerikë, por edhe për brezat e sotëm, vrasja e Kryegjyshit Botëror, Sali Niazi Dede nga pushtusi, më 28 nëndor të vitit 1941, do të mbetet dëshmi e pakontestueshme e sakrificës më sublime, në ruajtje të devocionit të Zotit dhe fateve të atdheut.

Mesazhet e dëshmorësisë të klerikëve të çdo besimi në Shqipëri, vijnë sot jo vetëm si mësim i së shkuarës, por edhe si thirrje për të ruajtur e zhvilluar më tej, harmoninë tonë fetare. Tek ne, fetë dhe  besimet i mbajnë si të çmuara urat shpirtëror të komunikimit, sepse pamvarësisht indetiteteve tona fetare, çdokush prej nesh beson se porositë e çdo feje përcjellin vetëm paqe dhe dlirësi hyjnore. Ndërkaq unë gjykoj se kjo traditë e vyer, mund të çohet më tej, nëse me vizionet, qëndrime dhe përpjekjet tona ne shndrrohemi në barrikadë ndaj çdo lloj radikalizmi apo islami politik.

Ju faleminderit!

 

Faleminderit i nderuar Haxhi Dervish Arditi dhe njëkohësisht ju falenderoj të gjithëve për respektin dhe mbështetjen e treguar ndaj nesh

Edhe një herë ju urojmë Gëzuar Festat e Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë duke ju ftuar në kokteilin e pregatirur në holl për të bashkëndarë më tej miqësinë tonë.

Faleminderit.

 

Elbasan 26 Nëntor 2016

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *