Përurim i shtatorës të së Lumes Nënë Tereza

Marshim kundër diskriminimit, të promovojmë bashkëjetesën
Maj 13, 2014

Përurim i shtatorës të së Lumes Nënë Tereza

Ditën e Dielë, më datë 06 Dhjetor 2015, një përfaqësi e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar të Elbasanit e përbërë nga disa anëtarë të komitetit drejtues dhe disa aktivistë të komuniteteve tona fetare, morën pjesë në përurimin e shtatores të së Lumes Nënë Tereza të vendosur në kryeqendrën e malësisë në Tuz, të viseve shqiptare në Mal të Zi.

Komiteti Ndërfetar i Elbasanit u ftua prej ligës qytetare shqiptaro-amerikane që drejtohet nga Joe Dioguardi, nëprmjet kryetarit të degës së saj të Michiganit, zotit Marash Nucullaj që është donator i shtatores dhe njëkohësisht bashkëorganizator i të gjithë aktivitetit dhe ceremonive, me këtë rast, në nderim të kësaj figure të madhe të kombit tonë e mbarë njerëzimit.

Komitetiti i Qendrës sonë u ftua dhe u paraqit pikërisht për të nderuar Nënë Terezën dhe organizatorët për të përcjellë në këtë trevë moton e QBNF-së “Besimi – Ura që na bashkon”. Pas zbulimit të shtatores nga kryetari i këshillit të malsisë zotit Zef Maçi Camaj dhe zotit Marash Nucullaj u ftuan me radhë për të përshëndetur; haxhi dervish Ardit Selmani, anëtar i komitetit ndërfetar, përfaqësues i Gjyshatës Bektashiane, Don Emilio Valente, nënkryetar i komitetit ndërfetar, përfaqësues i kishës katolike dhe pëfaqësuesi i Myftinisë së Elbasanit zoti Ergys Muzhaqi, duke dhënë mesazhe të vllazërisë dhe bashkëpunimit aq të nevojshëm në kohët e sotme sidomos për ne shqiptarët gjithandej, në trojet tona brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.

Më tej zoti Nucullaj vlerësoi figurën e Nënë Terezës si një model dhe simbol të kombit tonë si edhe falenderoi miqtë nga Elbasani për kontributin që japin në qytetin e tyre si edhe u shprehu mirnjohje për praninë në këtë ceremoni historike për shqiptarët e përtej kufirit pasi është e para shtatore e Nënë Terezës që vendoset në ato troje. Pas ceremonialit të përurimit u organizua një darkë festive për nder të të pranishëmve.

Kryetari i komisionit organizues, zoti Nikollë Berisha dhe të gjithë folësit shprehën konsiderata dhe vlerësuan praninë dhe shembullin tonë aty. Antari dhe kordinatori Qendres zoti Sokol Lulgjuraj bëri një përshëndetje në emër të komitetit duke prezantuar njëkohësisht punën e qendrës sonë në drejtim të dialogut e bashkëpunimit ndërfetar në dobi të shoqërisë. Grupi u nda mes një atmosfere vllazërore dhe me ftesa të shumta për të qenë përsëri të pranishëm në evente të tjera si në malsi ashtu edhe në diasporë.