Qendra ndërfetare elbasan organizon aktivitet për 10 vjetorin e krijimit të saj

“Nuk pajtohemi për asnjë arsye dhe me askënd që përdor gjuhen e urrejtjes”
May 13, 2014
Qendra ndërfetare në Elbasan: Gati për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve
May 13, 2014

Qendra ndërfetare elbasan organizon aktivitet për 10 vjetorin e krijimit të saj

Kur në 9 Janar 2015 Parisi u godit nga një seri sulmesh terroriste nga militantë islamikë, të cilat shkaktuan 17 viktima dhe 22 të plagosur, Besmir Mance – një student i degës së historisë në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan – ndjeu se duhet të mësonte më shumë mbi fenë Islame. “Kur ndodhi sulmi terrorist në Francë, gjithandej flitet për sulmin dhe për faktin se kriminelët ishin mysliman,” Besmiri kujton.

“Edhe pse nuk isha shumë i informuar për Islamin e dija që një besim fetar nuk ka asnjë të përbashkët me sulmet terroriste,” ai shtoi. Ngjashëm me Besmirin edhe Klodiana Llaha, e cila tani po kryen praktikën profesionale të mësuesisë në gjimnazin e gjuhëve të huaja “Mahmud dhe Ali Cungu” dhe është e besimit Ortodoks, kishte pikëpyetjet e saj në lidhje me aktet terroriste që tronditën Europën.

“Nuk dua të bëhem paragjykuese, po kur dëgjoj së këto akte terroriste janë kryer nga persona që i propagandojnë aktet e tyre në emër të Zotit, kjo nuk më lë një shije të mirë,” ajo tha. Klodiana dhe Besmiri nuk ishin besimtarë praktikantë dhe të dy ju drejtuan për të marrë përgjigje për dilemat e tyre Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan – e cila ka për qëllim ndërtimin e urave të komunikimit midis besimeve të ndryshme dhe ruajtjen e traditës së harmonisë fetare në Shqipëri.

“Që kur kam vajtur në ketë qendër kam kuptuar që të gjitha besimet fetare dëshmojë për paqen, tolerancën, dashurinë, mirësinë,” u shpreh Klodiana, duke nënvizuar që në një kohë të shkurtër pjesëmarrje në qendër e ka ndihmuar të shembë disa nga paragjykimet që ajo kishte mbi fetë e tjera.

“Në një nga aktivitet e kryera nga qendra u mbajt një kumtesë për figurën dhe përshkrimin e Marisë, nënës së Jezu Krishtit në Kuran. U befasova! Nuk do ta kisha imagjinuar që në Kuran mund të flitej për Marinë,” shtoi ajo. Besmiri bie dakord duke thënë se edhe pse në fillim kishte qenë skeptik ndaj Qendrës, shumë shpejt kishte mësuar që ajo ishte një hapësirë për njerëz mendjehapur që respektojnë besimin dhe kulturën e njeri-tjetrit.

“Ajo që më pëlqen më tepër në atë ambient është se aty nuk bëhet mësime teologjik, por imamët dhe priftërinjtë na mësojnë sesi ne duhet të respektojmë besimet e tjera fetare sepse përpara Zotit jemi të gjithë të barabartë,” tha ai. Qendra u krijua një dekadë më parë falë vullnetit të drejtuesve të komuniteteve fetare në Elbasan dhe mbështetjes USAID-it. Në qendër aderojnë katër komunitetet kryesore fetare në Shqipëri, përfshirë Komunitetin e Mysliman, Kisha Katolike, Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare si dhe Komuniteti Bektashi – të cilat janë dhe financuesit e saj. Sipas kreut të Qendrës teologut mysliman Arben Ramkaj, promovimi i harmonisë fetare ka një rëndësi të veçantë për Europën, dhe aq më tepër për në një rajon si Ballkani – të trazuar nga konfliktet etnike dhe ekstremizmi i dhunshëm.

“Në një kohë kur ekstremizmi i dhunshëm mysliman, ortodoks apo i një besimi tjetër fetar ka tendenca të bëhet më i prekshëm dhe partitë ekstremiste të djathta në Europë po fitojnë gjithë e më shumë terren, mund të themi se një qendër e tillë që promovon bashkëjetesën është modeli sesi duhet të ndërtohen urat e komunikimeve mes religjioneve dhe besimtarëve,” i tha Ramkaj BIRN.

“Duke parë rrjedhshmërinë e kësaj qendre kemi dëshirën që këtë punë ta shtrojmë edhe jashtë kufijve të Republikës, në ato vende ku jetojnë dhe është faktor komunitetit shqiptar, për të dhënë imazhin e mirë të bashkëjetesës dhe tolerancës,” shtoi ai. Përpos kontakteve të përbashkëta të anëtarëve me klerikët e katër besimeve, Qendra Ndërfetare në Elbasan ka krijuar një sërë aktivitetesh ku përfshihen trajnime dhe projekte ndërfetare të përbashkëta.

“Në Shqipërinë e Mesme dhe kryesisht në Elbasan gjendet një numër mjaft i madh i praktikuesve të religjioneve,” u shpreh Baba Faik Islami, kreu i komunitetit Bektashi. “Kjo qendër e Bashkëpunimit Ndërfetar na ka ndihmuar edhe ne për tu afruar më tepër me njeri-tjetrin, jo vetëm në vizitat e kortezisë me rastin e festave fetare. Me anë të mbledhjeve periodike një herë në muaj, ne bëjnë bilancin se ku duhet të përmirësohemi apo çfarë mund të bëjmë më tepër,” shtoi ai.

Në seminaret dhe konferencat e mbajtura në këtë qendër i vihet theksi në bashkëjetesës dhe harmonisë midis feve të ndryshme dhe mbajtjes së distancës nga të rinjtë ndaj fanatizmit dhe ekstremizmit. Aktivitet e Qendrës kundër ekstremizmit të dhunshëm fetar në qarkun e Elbasanit, gjatë vitit të fundit janë mbështetur me një fond të posaçëm nga bashkia e Elbasanit. Aktivitet e Qendrës variojnë nga leksione të hapura nga priftërinj dhe imamë e deri tek pikniket në natyrë, duke përfshira 50 të rinj dhe të reja çdo muaj.

Jusuf Gjevori është një nga imamët të cilët aderojnë në Qendër prej vitesh dhe jep leksione mbi harmoninë fetare. Ai shprehet se komunikimi me të rinjtë që vijnë nga kultura fetare të ndryshme është një sfidë; ndryshe nga komunikimi me besimtarët pas faljes së ditës së premte në xhami. “Në punën time si imam prej vitesh jam mësuar të flas përpara të rinjsh që i përkasin besimit islam. Kishte një mënyrë të caktuar komunikimi me ata, sepse çdo të premte ju flisja atyre në xhami, por në kemi terminologjinë tonë dhe e kemi shumtë të lehtë të kuptohemi mes nesh,” u shpreh Gjevori.

“Fillimisht kur mu prezantua ideja për të folur përpara të rinjve nga të katër komunitetet m’u duk e vështirë. Jo së është diçka që nuk arrija ta kryeja por nuk e dija a do të më kuptonin të rinjtë nga komunitete e tjera fetare,” ai shtoi. At Emilio Valente, prifti Italian që udhëheq Kishën Katolike në Elbasan, shprehet se veçantia e Qendrës në Elbasan është suksesi i saj për të bërë bashkë të rinjtë nga katër komunitete fetare.

“Nga përvoja ime mund të them se fillimisht të rinjtë nga pala katolike, myslimane, ortodokse ose bektashiane, kur afrohen në qendrën tonë janë pak skeptik por më pas i lënë mënjanë paragjykimet,” tha Valente. “T’i bësh këto të rinjtë të bashkëpunojnë për një kauzë të mirë do të thotë t’i lëmë me një anë paragjykimet tona, sepse secili nga ne në masa të ndryshme ka paragjykime ndaj një individi ose një feje,” ai shtoi.

Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse, At Stavri Cipa shprehet se edhe pse Qendra nuk predikon një teologji fetare të caktuar, ajo i afron të rinjtë me zotin duke ndarë të gjithë vlerat që religjonet kanë të përbashkëta. “Ajo që e bën të veçantë këtë qendër është fakti se nuk propagandohet teologjia fetare e mirëfilltë si mësim i Kuranit apo i Biblës, por pjesëmarrësve u flitet në emër të një Zoti të vetëm i cili krijojë botën dhe njerëzimit,” tha At Stavri.

“Të jesh katolik, ortodoks, mysliman apo bektashi nuk do të thotë se je superior apo inferior, të besosh tek Perëndia është një vlerë plus tek njerëzit që i bën ata më human, më social,” ai shtoi. Vlerësimi i At Stavri Çipës për qendrën ndërfetare ndahet dhe nga myftiu i Elbasanit Agim Duka, i cili shprehet se në të gjitha seminaret e hapura që mbahen në këtë qendër theksi vendoset në harmoninë dhe tolerancën si çelësi për tu kuptuar dhe bashkëpunuar.

“Ne duhet të arrijmë të kuptojmë se çdo njeri është i ndryshëm nga ne, në këtë qasje arrijmë të perceptojmë se çdokush praktikon fenë që dëshiron, atë besim që e bën individin të ndjehet mirë,” tha Duka. “Në jemi të ndryshëm në bindjet tona, por të barabartë para zotit dhe ligjit. Dobia e kësaj qendre është se arrin ti mbledh bashkë të gjithë besimtarët dhe të promovojë tek ato lirinë e bindjes, vëllazërinë dhe barazinë,” përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *